IKSHPK këshillon që uji i liqenit të Badocit të mos përdoret për pije
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka këshilluar të martën që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije deri në një njoftim të radhës.
Në një njoftim në Facebook, instituti tha se uji është i papërdorshëm për pije për shkak të rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit të këtij liqeni.
Instituti tha se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen e ujit në bashkëpunim me kompanisë e ujësjellësit KRU Prishtina.
Prandaj, ai i këshilloi që uji të mos përdoret për pije deri në njoftimin e radhës.
Nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit furnizohen qytetarët e pjesës më të madhe të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, dhe të komunave dhe fshatrave përreth.
Rritja e vlerave të turbullirës në ujë vjen pas përmbytjeve që goditën vendin në ditët e fundit.
Kosova u përball me vërshime javën e kaluar, të cilat shkaktuan dëme materiale, detyruar banorë të evakuohen, bllokuan rrugë dhe shtynë për disa ditë rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror në mbarë vendin.
Por, këshillat e IKSHPK-së për mospërdorimin e ujit për pije nga ky liqen nuk janë të pazakonta.
Ka ndodhur shpesh në vitet e fundit që instituti t’i këshillojë qytetarët të mos e përdorin atë kohë pas kohe, kryesisht për shkak të rritjes së vlerave të manganit.
Mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.
Por, kur sasia teprohet, sikurse me gjithçka tjetër, e mira bëhet e dëmshme.
Nga rritja e vlerave të manganit rrezikohen më së shumti fëmijët nën 5 vjeç.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë në Minesota të Shteteve të Bashkuara, kur fëmijët dhe të rriturit pinë ujë me nivele të larta mangani për kohë të gjatë, ata mund të përballen me probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike.