Rrëzohet kërkesa e Shalës kundër zhdëmtimit të viktimave
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur kundër kërkesës së Pjetër Shalës sa i përket zhdëmtimit të viktimave.
Me këtë vendim, Apeli la në fuqi urdhrin e lëshuar nga trupi gjykues, i cili e urdhëroi Shalën që të paguajë 208.000 euro si kompensim “për dëmin fizik, mendor dhe material që pësuan viktimat pjesëmarrëse”, u tha në njoftim.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme më 2024 dhe një vit më vonë Apeli ia uli dënimin në 13 vjet burgim.
Në nëntor të vitit 2024 ai ishte urdhëruar që të paguante zhdëmtim për tetë personat që morën pjesë në rastin e tij në cilësinë e viktimave.
Këtë urdhër për zhdëmtim, Shala e apeloi, duke u bazuar në pesë pika. Mbrojtja e tij argumentoi se kishte pasur gabime në interpretim nga trupi gjykues të ligjit të shkakësisë gjatë procesit të zhvlerësimit, se nuk kishte pasur gabime në vlerësimin e provave që mbështesnin dëmin material të pretenduar që kanë pasur viktimave, të përgjegjësisë së tij për zhdëmtim, duke thënë se shuma e kërkuar nuk ishte në proporcion me rolin e tij në kryerjen e krimeve dhe e tepruar marrë parasysh mungesën e mjeteve financiare.
Sipas njoftimit, Shala po ashtu pretendoi se trupi gjykues kishte gabuar me kryerjen e procesit të zhdëmtimit para marrjes së vendimit mbi apelin e tij të dorëzuar kundër vendimin për fajësi dhe dëmin, duke i kërkuar Gjykatës së Apelit që të pezullonte shqyrtimin e kërkesës kundër urdhrit për zhdëmtim të viktimave deri në përfundimin e shqyrtimit të apelit të tij lidhur me vendimin e fajësisë dhe vendimit të formës së prerë.
Apeli tha se i ka rrëzuar të pesë pikat, “duke mos konstatuar gabime në interpretimin e ligjit apo në vlerësimin e provave të trupit gjykues”.
Gjatë vendimit të trupit gjykues lidhur me zhdëmtimin e viktimave të shpallur në fund të nëntorit të vitit 2024, u tha se viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale.
Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç'rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.
Në anën tjetër, shuma e mbetur, sipas vendimit, është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës.
Shala është personi i dytë që Gjykata Speciale ka marrë vendim për zhdëmtim të viktimave.
Shala, i njohur me nofkën “Ujku” u dënua nga Dhomat e Specializuara për veprat penale që u tha se janë kryer në Fabrikën e Metalit në Kukës - pjesa veriore e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.
Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.
Deri më tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe disa të tjera për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në Hagë, po shkon drejt fundit edhe procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi - që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së - të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Po ashtu, në fund të shkurtit pritet të nisë gjykimi i dytë ndaj Thaçit dhe disa personave të tjerë për vepra kundër administrimit të drejtësisë.