PZAP miraton aneksën e Listës Serbe për vendimin e KQZ-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
PZAP tha se vendimi i 31 janarit i KQZ-së është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim “me dispozitat ligjore”.
Sipas vendimit, PZAP tha se shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore “pa përjashtim”.
“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, u tha në vendimin e PZAP-së të publikuar më 3 shkurt.
Për këtë vendim mund të dërgohet ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Po ashtu, përveç vendimit për Listën Serbe, PZAP-i shqyrtoi edhe gjashtë ankesa të tjera, të cilat i refuzoi duke i cilësuar si të pabazuara.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dorëzoi ankesë në PZAP më 2 shkurt, duke e vlerësuar vendimin si të "paligjshëm, antiserb dhe diskriminues".
Kjo parti e vlerësoi vendimin e PZAP-së si “fitore të së drejtës, ligjit dhe parimeve demokratike”, si dhe tha se është një konfirmim i vullnetit zgjedhor të qytetarëve që i dhanë mbështetje këtij subjekti.
“Presim që institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me vendimin e marrë dhe të mundësojnë zbatimin e tij të plotë dhe pa pengesa”, u tha në njoftim.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.
Gjatë mbledhjes, vetë kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e cilësoi si "të pakuptimtë" mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarët e Komisionit, duke argumentuar se kishte kaluar afati për ankesa pasi votat veçse janë rinumëruar dhe, sipas ligjeve, nuk parashihen ankesa për një proces të tillë.
Vendimi i KQZ-së u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian shprehu "shqetësim serioz" për dështimin e KQZ-së që të miratojë rezultatet përfundimtare për Listën Serbe.
"BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën", tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t'i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ka fituar zgjedhjet e dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar që ta pengonte Listën Serbe që të merrte pjesë në zgjedhje. Por, PZAP-i vazhdimisht ka rrëzuar vendimet e KQZ-së.
Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe në zgjedhjet e dhjetorit fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
LVV-ja këmkëmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.
Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Partia e Kurtit shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.
Vetëm pas përfundimit të afatit për ankesa në Gjykatën Supreme, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, proces që hap rrugën për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.