Borrell: BE-ja preferon gjendjen e tanishme të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë
Borrell tha se BE-ja është e gatshme për vazhdimin e dialogut, porse duhet pritur sqarimi i situatës politike në Kosovë.
“Ne nuk jemi në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Është vëtëm një dialog, e ai është dialogu që e ka nisur BE-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme”.
“Ne nuk veprojmë për qëllime propagandistike, por bëjmë punë serioze për të rinisur dialogun, i cili është i bllokuar”, tha Borrell.
Kosova, qysh më 25 mars, është me qeveri në detyrë, ndërsa këtë javë Gjykata Kushtetuese e vendit i ka dhënë mbështetje dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar një kryeministër të ri, pa shkuar në zgjedhje.
Duke u përgjigjur në pyetjet rreth ideve për ndryshimin e kufijve, më saktësisht për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Borrell shprehu një ndryshim pozicioni në krahasim me atë që ka thënë më herët, kur nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.
Ai tha se idetë e tilla nuk kanë mbështetje dhe se BE-ja do të preferonte që të mbahet gjendja e tanishme e kufijve.
“Së pari, duhet thënë se marrëveshja duhet të jetë mes serbëve dhe kosovarëve. Nëse ata nuk pajtohen, atëherë asgjë. Por, është thënë tashmë se marrëveshja duhet të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ato [Kosova dhe Serbia] nuk i kanë duart e lira që të vendosin çfarëdo të duan, sepse mund të ketë edhe pasoja kolaterale në rajon. Dihet shumë mirë se sa e ndjeshme është të ndryshohen kufijtë”.
“Nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status quo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat. Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve. Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim”, tha Borrell.
Ideja për ndryshimin e kufijve si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur nga vetë presidentët e të dyja vendeve në vitin 2018, por ajo ka hasur në reagime për dhe kundër si në Prishtinë dhe Beograd, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.
Borrell u pyet edhe për të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është nga Sllovakia - shtet që nuk e ka njohuar pavarësinë e Kosovës.
Ai dha të njëjtin argument si edhe më herët, duke thënë se sikur i dërguari i posaçëm të ishte nga ndonjë vend që e ka njohur Kosovën, atëherë Serbia do të mund të ishte e pakënaqur.
Borrell tha se duhen ndalur këto kritika dhe se duhet punuar në mënyrë serioze, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për diplomat që përfaqëson Bashkimin Evropian.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Përfaqësues të posaçëm në dialog tani kanë edhe Shtetet e Bashkuara: diplomatin Richard Grenell.