Lëvizja e lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE
"Këto tre marrëveshje hapin rrugën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor," tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
"Duke ngritur këtë treg, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e pranimit në BE," tha Baerbock përpara takimit të zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Berlin.
Ajo shtoi se marrëveshjet do të nënshkruhen zyrtarisht në një Samit të Ballkanit Perëndimor në Berlin në nëntor.
Komisioni Evropian javën e kaluar rekomandoi që Bosnje-Hercegovinës t'i jepet statusi i kandidatit për t'u bashkuar me BE-në, me kusht që vendi të përforcojë demokracinë dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të nevojshëm.
Komisioni tha se Turqia, si dhe pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia - të cilat të gjitha kanë statusin e kandidatit, duhet të bëjnë më shumë përparim në reformat kryesore, duke përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.
Baerbock tha se ishte një prioritet për qeverinë gjermane që të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE për të siguruar stabilitet dhe përparim ekonomik në rajon.
"Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të shpejtoni reformat tuaja në interes të qytetarëve tuaj," u tha ajo ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor të mbledhur në Berlin.